Kah po shkon “Shpija e Kosovës”?

01/06/2010 12:02

 

Fadil Maloku /sociolog
Fadil Maloku /sociolog

Në RTV-21, muajin e kaluar kishte filluar një përpjekje për një reality show, që për mendimin tonë si ide ishte e re dhe ndoshta edhe e pritur, shkaku i kohës dhe dëshmisë për zhvillimet teknologjike që e kanë kapluar edhe shoqërinë tonë.

Shikuar me një dioptri sociologjike, nuk ka asgjë të keqe që ndonjë televizion merr iniciativë të tillë të tipit ala “Big Brother”, ku si pretekst përdoret ideja e mbikëqyrjes 24-orësh e personazheve me karaktere dhe me ambicie të ndryshme dhe në fund duhet të triumfojë i/e parapëlqyeri/a i publikut dhe kështu të dëshmohet se edhe një personazh tërësisht i panjohur mund të bëhet V.I.P dhe i kërkueshëm edhe audiencën dhe rrethin e vetë shoqëror.

Në fakt, ideja e tërë këtij projekti, po flas për shoqëritë perëndimore kishte dhe akoma ka për qëllim demonstrimin mediatik dhe mbajtjen peng të njerëzve lidhur me shumë tema dhe shumë sfida të improvizuara nga jeta e përditshme, si edhe prodhimin e një prototipi mesatar të një mentaliteti të caktuar shoqëror, ku nuk triumfon imponimi i njëmendët i ndonjërit nga pjesëmarrësit në lojë, por karakteri i logjikës së biznesit dhe marketingut.

Por nëse i adresohemi “Shpisë se Kosovës”, hetojmë që kësaj “shtëpie” i nevojitet edhe një lloj analize, e pse jo edhe diagnoze sociologjike, në mënyrë që të kuptojmë deri diku mesazhin dhe vete dedikimin e gjithë kësaj loje.

A ishte selektimi i banorëve me kritere?

Natyrisht, pa ndonjë pretendim për t’ia ulur apo ngritur vlerën dhe porosinë që pretendon ta bëjë bie fjala “i Zoti i shtëpisë” apo dikush tjetër do të thosha këtij fenomeni tërësisht të ri për mentalitetin dhe kulturën tonë, do thënë se:

Pikësëpari, selektimi i personazheve apo karaktereve në “Shpinë e Kosovës” nuk është bërë me ndonjë shije dhe tipologji mbizotëruese, pra për mbi mesatare e karaktereve që e përbëjnë realitetin e Kosovës, që dmth. se shoqëria kosovare nuk është përfaqësuar ashtu siç është në realitet me rrafshet e karaktereve të personazheve, gjë që lë shumë për të dyshuar se seleksionuesit ose kanë qenë njerëz që thjesht imperativ e kanë pasur ose ekskluzivitetin e marketingut (gjë që është shumë mirë për të zgjedhur mundësit dhe kapacitetet e reja teknologjike për të rrit bizneset e reja) ose injektimin e argëtimit sipas tipit të një Reality Show perëndimor.

Por, duket që seleksionuesve që i kanë përzgjedhur banorët e “Shpisë se Kosovës” nuk u ka shkua fort për dore çështja e identifikimit te karaktereve apo çështja e tipologjisë së këtyre karaktereve, duke marrë për bazë gjithnjë strukturën stratifikuese sipas kritereve sociale dhe tyreve ekonomike.

S’ dyti, mos të harrojmë që Kosova është vend që për nga mesatarja e moshës së popullsisë ua tejkalon të gjithëve në rajon, bile bile edhe më gjerë. Shikuar me këtë logjikë të numrave, këtë fenomen të ri mendojë që përzgjedhja dhe kriteri i përzgjedhjes do të duhej të ishte shumë me i ashpër. Në fakt përzgjedhja flet shumë edhe për vete shijen, ngritjen dhe nivelin e edukimit edhe të vetë përzgjedhësve, që dmth. se “Shpija e Kosovës” në realiteti është një perceptim me tepër subjektiv se sa objektiv.

Do të doja të gabojë në këtë perceptim timin personal, por tipologjia e seleksionimit negativ e banorëve dosido e ka dëmtuar perceptimin për mbi mesataren e karakterit, inteligjencës, shkallen e guximit, menaxhimit të situatave, etj. të një kosovari të thjesht. Pra, siç po shihet selektimi më i ashpër i karaktereve të pjesëmarrëseve me siguri shumë më shumë do ta bënte interesant këtë pretendim për Reality Show, por gjithsesi edhe më atraktiv dhe më domethënës si për nga porosia edukative, arsimore, asaj atë të inteligjencës dhe mbi të gjitha atë mbi mesataren që në fakt i kanë “pronësuar” këto gjenerata. Por, kjo tash nuk mund të ndryshohet sepse është qëndrim i “Zotit të Shpisë”!?

Reality show “made in Kosova”

Por nëse i adresohemi ndonjë analize më të thukët të këtij fenomeni kuptojmë që si risi me aktor dhe me sponsor vendas, pra “made in Kosova”, show si i tillë nuk mund të themi së është ide e keqe. Nuk është e keqe edhe për një arsye, ngaqë me këtë metodologji të qasjes ndajë opinionit publik tentohet të zhvendoset vëmendja nga problemet reale të papunësisë dhe varfërisë së madhe që e ka kapluar shoqërinë kosovare.

Gjë që kur të përkthehet në gjuhën e logjikës së shëndoshë, ky Reality Show përveç që “blen” kohë shërben edhe si rekomandim adekuat se si duhet humbur kohën, si të topiten ndjenjat, si të tëhuajsohet vetja dhe si të largohet vëmendja nga përditshmëria monotone dhe tejet e acaruar sociale.

Duke bë përpjekje të shikohet me këtë dioptri ky lloj fenomeni apo kjo lloj dukurie e re e “gjeneratës që (siç e identifikoje unë) mendon globalisht, por që vepron dhe e jeton jetën lokalisht” , fitohet përshtypja tjetër, se ndoshta kishte me qenë më mire sikur i “Zoti i Shtëpisë” te provonte te kombinonte taktikat e organizmit te brendshëm përmes krahinarizmave lokal, tipologjisë tradicionale dhe asaj moderne ku organizimi i brendshëm shtëpiak do të ushtrohej herë me autoritetin autoritar të kryefamiljarit, e herë me pluralizmin e mendimeve të “anëtarëve tjerë të familjes”.

Çfarë karakteresh ndodhen brenda në “Shpinë e Kosovës”?

Dilemat, shqetësimet, debatet, pastaj ngacmimet së bashku me kurtuazitë ndërmjet banorëve të shtëpisë se madhe të Kosovës, së bashku me tendencat e deshifrimit te kundërshtarit përmes një filtrim debati në rastin e shtëpisë se Kosovës gjate gjitha këto dite nuk kemi pa asgjë nga këto.

Nëse u adresohemi karaktereve të banorëve, kuptojmë se edhe këtu nuk janë gërshetuar sa dhe si duhet as parametrat e moshave, as të gjinisë, e as të statuseve sociale, së bashku me statuset profesionale. Fitohet përshtypja që parametrat e moshës (18-39) më së shumti e kanë dominuar skenën e shtëpisë se Kosovës se bashku me atë të prejardhjes gjeografike (Serbi, Kosovës, Shqipëri, Zvicër, etj).

Infantiliteti i Muhamedit!

Personazhi me këtë emër, në Shtëpinë e Kosovës në javët e para pat fituar një simpati të pa shpjeguar nga opinioni i gjerë kosovar, por jo edhe nga i Zoti i shtëpisë që (me arsye) e pat dënuar me përjashtim... Rikthimi i tij ishte parapa që të arrijë disa efekte: Njërin që kishte të bënte me rritjen e interesimit të publikut për këtë tip karakteri dhe së dyti dinamizmi i diskursit për tema dhe situata te improvizuara. Duket që përveç efektit të parë, asgjë nuk u arrit nga premtimi për “luftën e tretë botërore” nga ana e Metit ngucakeq, jotolerant, vetë imponues dhe jo shumë solidar!

Kompleksi i Sarandës

Sasa, që në javën e parë arriti me sharmin e sajë t’i fascinoje jo vetëm banorët e shtëpisë se Kosovës por edhe publikun e gjerë me tregimin e saj për jetën e saj...Duket që ky rrëfim patetik e bëri atë që në javën pasuese të mbetet një personazh i mikluar nga banoret tjerë të shtëpisë së Kosovës. Apatia e saj bëri që ajo me të mos mbetet në qendër të vëmendjes as të Qëndrimit (kishte sjellje me tepër ilakase!?) e as të publikut jashtë shtëpisë! Mbetet java që po vjen te shohim se a do t’u bashkëngjitet karvanit te Jehonës, Ekremit, Suzanes, Arjetës dhe Festimit

Erlinda e harlisur

Vajze lozonjare do të thoshim! Ajo përveç kompleksit të vogëlsisë (ndajë Metit të gjatë!) në ambiente të një familje të madhe siç aludon i zoti i shtëpisë me banorët e shtëpisë së Kosovës dhe dridhjes së belit vend e pa vend (!?), nuk dëshmoi ndonjë kualitet tjetër fare as në debate, as në gara e as në imponim të vetë vetes ndajë të tjerëve. Duket që ajo më së afërmi e ka daljen nga shpija e Kosovës, por kjo le të mbetet të shihet këtë javë!

Zigridi dinak

Zigridi, një djalë i lindur në Shqipëri me fakultet te edukatës fizike pëson në shtrëngimin e duarve nga Fadili me i vjetër për gati një dekadë!? Por, kualitetet e një heshtaku me pretendime dinake, duket se si thotë populli ”nuk do të shkon kungulli gjithnjë mbi ujë”. Nominimi i tij, duket se ishte i arsyeshëm kësaj jave edhe për faktin se ai përveç ndjekjes se një kursi mesatar, as fort i imponueshëm e as fort i tërhequr, bëri që të qëndrojë aq gjate ne shtëpinë e Kosovës... Duket qe me këtë kurs ai do te qëndrojë edhe disa jave ne shtëpinë e Kosovës.

Fadili i gjithanshëm

Javën që shkoi banori që më së shumti arriti të demonstrojë aftësitë e tija të: bashkëpunimit me kolegët brenda shtëpisë, për vallëzim, këndim si edhe për një debat të ngjeshur mbi jetën dhe shoqërinë në shtëpi. Duket që përvoja e tij e të qenit jashtë shtëpisë së vërtetë ka bërë që i njëjti me përvojën e tij të fituar nëpër botë, të dijë të mbaj balanset mes infantileve, të maturve, dinakëve, të kompleksuarve, sharmantve, besnikëve, etj. dhe ta dal në sytë e opinionistëve kosovarë si banori me i parapëlqyer! Duket qe ai është personi me potencial për trofeun prej 24.000 eurosh! Kuptohet, nëse në konkurrence nuk hyjnë edhe ndonjë banore tjetër qe eventualisht do te mund te hyj javët qe vijnë.

Arbeni i matur

Pas vërejtjes qe mori nga nominimet e një pas njëshme Arbeni duket qe javën që shkoi ishte një ndër banoret qe me se shumti iu imponua publikut kosovar me shpalosjen e pjesës se tij për psikologjinë e personalitetit. Por, ai nëse vazhdon kështu mund realisht te hyje ne konkurrence serioze me Fadilin për trofe.

“Burrëria” e Albulenës

Albulena, në këtë shtëpi ka hyrë me një background patriotik, duke llogaritur kështu akoma në atmosferën e “nxehtë” për figurat historike të shqiptarëve anekënd botës, por më vonë dëshmoi se si karakter nuk mundi ta mbajë “burrërinë” e sajë të apostrofuar që më parë! Duket që në këtë transformim, ka ndikuar Saranda e sidomos infektimi nga ana e Erlindës dhe Jehonës.
Duket që apostrofimi vetë vetës si femër “burrërore”, nuk do të parapëlqehet edhe gjithaq nga publiku në ditët që po hyjmë ku kriteret për të shkuar në çerekfinale do të ashpërsohen edhe me tej. Por, kjo mbetet për t’u pare javën që po hyjmë.

Zanati i Musës

Musa, si personazh në dukje të pare lë përshtypje tipike të një të riu kosovar që ka nevojë për mbështetje “karizmatike” te Metit, gjë që e bënë atë shumë të varur nga nevoja për të pas dikë si udhëheqës jetësor. Sigurisht në këtë zgjedhje te tij ka ndikuar edhe vdekja e hershme e babait te tij. Në fakt do të duhej të ishte e kundërta!

Sharmi i Qëndrimit

Ardhja e Qëndrimit, dosido ka sjellë freski në shtëpinë e Kosovës, por jo edhe gjithaq sa është pritur nga videospoti paralajmërues. Qëndrimi, me sharmin dhe butësinë e tij në një mënyrë është dashur te behej një antipod i mashkullit siç ishte Meti. Por ndodhi e kundërta. Me ri hyrjen e Metit, Qëndrimi sikur u spraps nga vetë vetja e javës së parë kur edhe fitojë simpati dhe filloi të kalkulojë shumë mençurisht me antipodin e tij dhe me Sasën dhe me Jehonën. Ajo çka pak a shumë e ka bë interesant qëndrimin e Qëndrimit, pa dyshim është sharmi i tij që herë herë është keqkuptuar jo vetëm nga Meti, por edhe një pjese e opinionit ka te beje me machomanizmin e tepruar nga na e tij?!

Do thënë si rekomandim, se në komentimin e javëve që po hyjmë nuk do të ishte keq të marrin pjese si sociolog e psikolog, ngase ne tere boten e civilizuar ku organizohen show biznese të tilla mendimi profesional i sociologut dhe psikologut është më se i nevojshëm edhe për shkak te tipologjive te sjelljeve, komenteve te duhura të karaktereve te banoreve, si edhe për shkak se prezenca e tyre dëshmon se i gjithë ky projekt përveç porosive lidhur me shkathtësitë individuale te banorëve, stratifikimin social, nivelin e emancipimit dhe përgjithësisht të kulturës do të projektonte definitivisht edhe modelin apo karakterin e një kosovari/e mesatare të kohës sonë.

Në fakt, ky show biznes është i leverdishëm edhe për shkak se i funksionalizon tiparet e karaktereve që shprehin gatishmëri për ti sfiduar kundërshtarët potencial përmes mendjes, fuqisë fizike dhe gjeturisë dhe inteligjencës, duke promovuar kështu shkathtësi të reja për menaxhimin e situatave tensionuese dhe tejet dinamike. “Shpija e Kosovës”, duket akoma nuk e ka gjetur shtëpinë e Kosovës?!