Protestë “seksi” në Ukrainë

Protestë “seksi” në Ukrainë, në qendrën e votimit ku ka votuar lideri i opozitës filoruse Viktor Ianukovich, një nga dy kandidatët që sfidohen në balotazhin presidencial.

Katër vajza të reja që i përkasin një grupi feminist të quajtur “Femen” janë paraqitur më gjoks jashtë duke bërtitur sloganin: “Mjaft abuzimeve me vendin”.

Policia i ka bllokuar menjëherë duke i shoqëruar për në komisariat për shkeljen e rendit publik.

Njëra nga manifestueset, Alexandra Shevcenko u ka shpjeguar gazetarëve se “ajo që ndodhi në Ukrainë gjate zgjedhjeve mund t’i japë fund demokracisë”.

Organizatoret e protestës kane siguruar se nuk mbështetnin asnjërin nga dy kandidatët dhe kishin zgjedhur atë qendër elektorale sepse aty do të votonte Ianukovich.

Për shkak të emrit s’mund të përfaqësojë Pakistanin në vendet arabe

Një diplomat i lartë pakistanez nuk ka mundur të marrë agrementin nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe as nga Arabia Saudite, për shkak të emrit të tij.

Mian Gul Akbar Zeb, ose Zoteri....
Mian Gul Akbar Zeb, ose Zoteri....

Përkundër përvojës së tij të madhe prej diplomati, Mian Gul Akbar Zeb është refuzuar të akreditohet nga Arabia Saudite si përfaqësues i Pakistanit në këtë shtet – ndërsa para kësaj ishte refuzuar edhe nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Nuk bëhet fjalë këtu se arabët kanë diçka personale kundër këtij 56-vjeçari me bagazh të madh diplomatik, që ka shërbyer në vende të ndryshme të botës, si në Afrikën e Jugut, Kanada, SHBA dhe në Indi, por atyre nuk iu pëlqen emri i tij.

Në fakt, emri akbar zib (ose zeb, varësisht nga shqiptimi) në gjuhë arabe do të thotë “halet i madh”, respektivisht penis i madh.

Në shtetet arabe nuk kanë si të quajnë ndryshe këtë diplomat, pos sipas emrit të tij – i cili është fyes në botën arabe - andaj edhe ia kanë refuzuar agrementin për postet për të cilat ishte propozuar nga Pakistani.

Peticioni shpëton bankierin që shikoi fotot e Miranda Kerr

Bankieri i pafat austriak, i cili ishte zënë në fokus të kamerës duke shikuar foto gjysmëlakuriqe të modeles Miranda Kerr në internet, në momentin kur kolegu i tij kishte qenë duke dhënë një deklaratë për televizionin Channel 7, nuk do të përjashtohet nga puna.

Dave Kiely ka shpëtuar falë një peticioni të fuqishëm të njerëzve në internet, të cilët janë vënë në mbrojtje të tij – duke thënë se edhe atyre do të mund t’u ndodhte e njëjta gjë – ndërsa duket se përkrahjen më të madhe e ka fituar nga vetë modelja Kerr, e cila po ashtu është vënë në mbrojtje të bankierit.

Kiely, siç theksojnë mediat botërore, as që i kishte kërkuar këto foto në internet, por thjesht e kishte hapur një e-mail ku dikush ia kishte dërguar ato. Ndërsa, gabimi i vetëm i tij ka qenë, se e ka hapur e-mailin në “kohën e papërshtatshme”.

Siç theksojnë mediat botërore, peticionin për moslargimin e bankierit nga puna e ka nënshkruar vet modelja australiane, 26-vjeçarja Kerr, përndryshe e fejuara e aktorit të famshëm Orlando Bloom.

Banka Macquarie ka thënë se, ky rast është mbyllur dhe se i punësuari do të mbetet në vendin e tij të punës – ndërsa ka kërkuar falje bashkë me bankierin Kiely nëse dikush mund të jetë fyer me këtë rast.

Studentet e Cambridget shumë të zhurmshme në shtrat

Studentet e kolegjit femëror në Universitetin Cambridge kanë marrë një vërejtje serioze që të jenë më të qeta gjatë natës – dhe të mos bëjnë zhurmë “gjatë aktiviteteve të tyre në shtrat”.

Rreth 400 studente të kolegjit Newnham, kanë marrë vërejtje që të jenë sa më diskrete në shtrat, pasi që Lidhja e Studenteve ka pranuar rreth 30 ankesa për shkak të zhurmës që bëjnë ato.

Atyre u është tërhequr vërejtja se, muret e holla të konviktit ndikojnë që aktivitetet e tyre në shtrat të dëgjohen pa problem edhe në korridoret e kësaj qendre studentore.

Lizzy Cole, presidente e Lidhjes së Studenteve të kolegjit Newnham, ka thënë se u është drejtuar studenteve që t’i kontrollojnë epshet e tyre, në mënyrë që të tjerët të mund të bëjnë gjumë të rehatshëm.

Gratë çeke mund t’i huazojnë burrat

Matarimet e rëndomta, zhvendosja e mobileve, riparimet e vogla shtëpiake, janë punët që kërkojnë dorën e mashkullit. Megjithatë, femrat çeke nuk kanë nevojë të mërziten nëse janë të vetme në shtëpi, ngase ato mund “të huazojnë” një mashkull për këto punë, për vetëm 10 euro në orë.

Vladimir Simik nga Berno e Çekisë qysh në vitin 2005 ka filluar këtë punë të pazakonshme. Ai u mundëson femrave çeke t’i huazojnë meshkujt prej tij – të cilët do t’u ndihmojnë atyre t’i rregullojnë punët e shtëpisë, ndërsa siç raportojnë mediat, ata janë shumë më të lirë sesa “mjeshtërit” klasikë.

Që nga fillimi i krizës ekonomike dhe largimit të shumë punëtorëve nga puna, është shtuar dukshëm numri i meshkujve që lajmërohen për të punuar si “burra të huazuar”.

Ndihmën e “burrave të përkohshëm” në të shumtën e rasteve e kërkojnë gratë e moshuara, gratë e divorcuara, apo edhe vejushat. Mirëpo se fundi ka filluar të rritet edhe numri i grave të martuara që kërkojnë shërbimin e tyre, sidomos ato gra burrat e të cilëve nuk marrin erë në “mjeshtëri”.

Çmimi për shërbimin e këtyre “burrave të përkohshëm” sillet prej 10 deri në 14 euro për orë.

I shpërthen cigarja në gojë, humb 6 dhëmbë

Një burrë në Indonezi është plagosur në gojë nga shpërthimi i cigares, shkaku i të cilit nuk dihet dhe si pasojë e këtij shpërthimi ka humbur 6 dhëmbë.

Duke ecur me motoçikletë në afërsi të Xhakartës, punonjësi i sigurisë Andi Susanto është plagosur në gojë nga shpërthimi i papritur i cigares së ndezur duke dëmtuar njëherazi edhe kaskën.

Drejtuesi i kompanisë së cigareve ka kërkuar falje ndaj Andi Susantos të cilit i është bërë një ndërhyrje kirurgjikale dhe i janë hequr dhëmbët e dëmtuar.

Gjithashtu kompania ka marrë përsipër pagesën e të gjitha shpenzimeve të spitalit. Andi Susanto ka pranuar propozimin e kompanisë dhe theksoi se nuk do të ngrinte padi ndaj saj.

Policia e cila ka analizuar përbërjen e cigares ka hapur një proces rreth ngjarjes. Pas kësaj ngjarjeje bëhet e ditur se Andi Susanto ka vendosur ta lërë cigaren.

I dehur vozit 49 fëmijë

Një vozitës nga Afrika e Jugut është arrestuar të mërkurën në gjendje të dehur, me sasi pesë herë më të madhe të alkoolit në gjak sesa ajo e lejuar, ndërsa në furgonin e tij për 16 vetë bartte hiç më pak se 49 fëmijë.

Policia e kishte ndaluar vozitës 26-vjeç gjatë një kontrolli rutinor, në provincën Kwala Zulu Natal, ndërsa më pas kishte vërejtur fëmijët të moshës 3 deri në 13 vjeçare në furgon, të cilët ishin nisur për në shkollë, bën të ditur agjencia Reuters.

Në prag të Kampionatit Botëror të Futbollit, Afrika e Jugut së fundi ka ndërmarrë një aksion për largimin e taksave ilegale.

Policia arreston tre herë personin e gabuar

Policia e New Yorkut ka arrestuar tre herë një person të gabuar, i cili ka emër identik me një person të arratisur.

37-vjeçari nga Broxi, Michael Terry, i cili ka emër identik me një të arratisur nga Pennsylvania – fillimisht ishte arrestuar në vitin 2003, më pas në vitin 2005, dhe së fundi, vitin e kaluar.

Ai ka paditur Policinë e qytetit, duke kërkuar 120.000 dollarë dëmshpërblim për shkak të cenimit të personalitetit të tij.

Pas çdo arrestimi, Terry ka kaluar disa ditë në burg, derisa është vërtetuar se ai nuk ishte personi i kërkuar nga policia – përkundër faktit se nuk i ngjason fare personit në kërkim, gjë që mund të shihet edhe në fotografitë e të arratisurit që i disponon policia.

Kinezi lidh të birin me zinxhir

Mund të duket si fakt i vrazhdë, mirëpo në Kinë lidhja e fëmijës me zinxhir në rrugë, derisa prindi i tij kryen punë, është gjë normale.

Kështu i ka ndodhur djaloshit Lao Lu, të cilin babai e kishte lidhur me zinxhir në një rrugë të Pekinit, derisa e kishte kryer një transport me karrocën-taksi të tij.

Prindërit e fëmijës kanë thënë se, ky veprim është në të mirë të Laos, pasi që asnjëri prej tyre nuk ka kohë të kujdeset për të.

Derisa babai i tij, Che, është vozitës i karrocës taksi, e ëma e tij, një grua invalide, merret me mbledhjen e mbeturinave në rrugë.

Prindërit kanë thënë se ishin të detyruar të lidhin djaloshin me zinxhir, pasi që kohë më parë, banditët ia kishin vjedhur motrën 3-vjeçe.

Pas ankesave të qytetarëve policia ka urdhëruar prindërit e djaloshit të mos e lidhin më me zinxhir, mirëpo – ata thonë se nuk kanë kushte për të paguar dikën të kujdeset për të.