Mercedes paraqet konceptin F800 Style

Mercedes-Benz ka paralajmëruar premierën e automjetit të tij të ri konceptual. Ani pse nga Mercedes nuk ka konfirmime zyrtare, shumë ekspertë supozojnë se ky studim nga pikëpamja e dizajnit do të paralajmëroj CLS-në e radhës si dhe CLC-në e pritur, respektivisht limuzinën kupe të bazuar në klasën C të këtij prodhuesi.

Nga elementet interesante dhe vetëm konceptuale të cilët nuk do të paraqiten në prodhimin serik vlen të përmenden dyert e pasme rrëshqitëse dhe kabina futuristike e udhëtarëve. Gjithashtu, ky automjet do të paralajmëroj disa sisteme të reja të sigurisë të cilat do të integrohen në modelet e ardhshme.

Bëhet fjalë për sistemin Distronic Plus Traffic Jam Assistant, respektivisht versionin e avancuar të tempomatit si dhe Pre-Safe 360, apo versionit të plotë të sistemit aktual i cili tani përfshin detektimin dhe përgatitjen e udhëtarëve për goditje nga pjesa e pasme.

Gjithsesi, shumë më tepër do të marrim vesh kur ky model do të paraqitet edhe zyrtarisht nga prodhuesi gjerman.

Zbulohet sulmuesi në Google nga Kina

Hulumtuesit amerikanë kanë njoftuar se kanë vërtetuar burimin e sulmeve kompjuterike në disa kompani amerikane, përfshirë edhe atë Google.

Gazeta "Financial Times" ka njoftuar se bëhet fjalë për një haker kinez rreth moshës tridhjetëvjeçare, i cili punon si këshilltar për siguri teknologjike. Ky person ka publikuar në internet pjesë të kodit të programit i cili është shfrytëzuar në sulm.

Për shkak të këtyre sulmeve, Google kishte kërcënuar se do t’i jepte fund afarizmit të vet në Kinë.

Cak i sulmeve kanë qenë mbi 30 kompani. Google ka theksuar se në shërbimin e vet ishin komprometuar arkivat e postës elektronike të aktivistëve politik kinezë.

Hakerët për sulm kishin shfrytëzuar një vrimë të sigurisë në shfletuesin Internet Explorer nga Microsoft, e kjo “vrimë” është mbyllur në ndërkohë.

"Financial Times" pohon se hakeri kinez kishte vendosur një pjesë të programit në një forum interneti, dhe se zyrtarët kinezë kishin qasje të privilegjuar në kodin e programit në fjalë.

Mediet transmetojnë se sulmet cyber ishin lansuar nga laboratorët kompjuterik të dy shkollave kineze në Shanghai dhe Lanxiang, ani pse të dy këto dy institucione kanë hedhur poshtë akuzat e bëra ndaj tyre.

Së shpejti MacBook Pro më të fuqishëm

Apple shumë shpejt do të mund të rifreskonte laptopët MacBook Pro me procesorët e ri të Intel nga familja mobile Arrandale e kompanisë Intel.

Informata cdo ditë e më të shumta flasin për modernizimin e laptopëve MacBook Pro të Apple me procesorët e ri të kompanisë Intel. Sipas këtyre informatave, përmenden laptopët MacBook Pro me shenjën dalluese 6.1 dhe çipi dybërthamësh i Intel nga linja mobile Arrandale, top-model Core i7 620M.

Procesori i përmendur ka takt pune 2.66 GHz, 4 MB L3 cache memorie dhe bërthamë të integruar grafike me takt prej 766 MHz.

Si pjesë tjetër e ofertës së laptopëve të rinj përmenden edhe çipat Core i5 430M (2.26 GHz) apo 520M (2.4 GHz) dhe Core i5 540M (2.53 GHz) për ofertën e mesme.

Vjen iTablet

Në tentim që të shfrytëzojë zhurmën të cilën e ka krijuar Apple iPad, kompania britanike X2 Computing paraqet versionin e vet të kompjuterit tablet, i cili është emëruar iTablet.

Për dallim nga modeli i kompanisë Apple, ky do të ketë sistem Windows 7 apo Linux, dhe si i tillë do të ketë mbështetje për Flash dhe multitasking.

Natyrisht, iTablet nuk pritet që të jetë ndonjë pajisje revolucionare në ndonjë formë. Do të vjen me komponentë të cilët janë tipikë për një netbook, me ekran të diagonales prej 10 apo 12 inç, derisa mundësia e udhëheqjes me multi-touch do të jetë opsionale. Procesori i integruar do të jetë ai Atom 1.6 GHz Atom, disku do të ketë kapacitet prej 250 gigabajt, do të ketë fotoaparat me rezolucion prej 1.3 megapikselash, si dhe tri qasje USB. Për më tepër, ky kompjuter tablet do të pajisjet edhe me daljen HDMI, Wi-Fi dhe modulin 3G për qasje në internet.

Komponentët e integruar e diktojnë edhe trashësinë e shtëpizës e cila është 35 milimetra, që pak a shumë i bien tri herë më e trashë se ajo e iPad, e as pesha prej 1.8 kilogramësh, nuk lë përshtypje të mirë.

Pajisja del në shitje gjatë muajit prill. Çmimi nuk është publikuar, mirëpo pritet të mos e kalojë shumën prej 500 dollarësh.

Xperia X10 vjen në muajin prill

Operatori i telefonisë Vodafone ka njoftuar se do të filloj të shes telefonin celular Xperia X10 të prodhuesit Sony Ericsson në Britani të Madhe gjatë muajit prill.

Vodafone ka njoftuar për shitjen e Xperia X10 në faqet e saja zyrtare të internetit, mirëpo tani për tani nuk ka informata për çmimin e kësaj pajisje.

Sony Ericsson Xperia X10 është pajisja e parë e kësaj kompanie e bazuar në sistemin operativ Android i cili futet në funksion nga procesori Snapdragon i Qualcomm. Në të gjendet edhe ekrani 4 inçësh i ndjeshëm në prekje, GPS dhe fotoaparati prej 8.1 megapiksela.

Sony Ericsson edhe më herët kishte paralajmëruar se ka për qëllim të nis shitjen e Xperias X10 nëpërmes faqeve të saja të internetit gjatë muajit mars apo prill të këtij viti.

Suzuki paraqet modelin R3 MPV

Prodhuesi japonez Suzuki në panairin e automjeteve në New Delhi ka paraqitur studimin e vet të ri që paralajmëron modelin para së gjithash të dedikuar për tregun indian, mirëpo prania e modelit serik në fund do të mund të bëhej shumë më e gjerë.

Modeli konceptual R3 MPV është automjet për gjashtë udhëtarë, i cili bazohet në platformën e modelit SX4. Prodhimi i tij serik do të ishte një konkurrencë e fortë për modelet e ngjashme në treg, siç është Kia Venda e paraqitur pak kohë më parë.

Thuhet se produkti final tanimë e ka marrë dritën e gjelbër për prodhim dhe se në treg do të mund të del brenda dy vitesh.

Sa i përket motorizimit, ai do të duhej të përfshijë ata me benzinë prej 1.2 dhe 1.4 litërsh dhe motorin 1.3 litërsh me naftë.

Sony paraqet modelin Alpha A450

Fotoaparati i ri digjital SLR në ofertën e kompanisë Sony është Alpha A450 i cili vjen me sensor të rezolucionit prej mbi 14 megapikselash. Sipas prodhuesit, bëhet fjalë për një fotoaparat për fotograf të avancuar amator të cilët përparojnë në botën e fotografisë.

Dimensionet e trupit të aparatit janë 137 x 104 x 81 milimetra, peshon 520 gramë dhe në të është integruar sensori Exmor CMOS me rezolucion prej 14.2 megapikselash.

Ndjeshmëria shkon deri ISO 12.800, gjersa ekrani LCD në prapavijë ka diagonale prej 2.7 inç. Shpejtësia e fotografimit është shtatë fotografi për sekondë në mënyrën Speed Priority. Tanimë sipas traditës së kompanisë Sony, stabilizimi i fotografisë është përfshirë në trupin e fotoaparatit, për ruajtje të dhënave përdoren kartelat e memories e Memory Stick PRO-HG Duo apo ato SDHC, përderisa kohëzgjatja e baterisë është deklaruar në 1.050 fotografi.

Çmimi i këtij fotoaparati ende nuk është bërë publik, mirëpo përmendet që në tregun do të kushtoj më pak se 1.000 dollarë. Në shitje del qysh muajin e ardhshëm.

Video telefoni edhe në televizorë

Skype do t’i ofrojë shërbimet e veta për komunikim me anë të internetit edhe në modele të caktuara të televizorëve të kompanive LG e Panasonic.

Skype ka njoftuar se ka lidhur marrëveshje me LG Electronics dhe Panasonic për përfshirjen e shërbimeve të veta për video komunikim edhe në televizorë.

Sipas përfaqësuesve të kompanisë Skype, të dy kompanitë do të kanë në shitje televizorë të rezolucionit të lartë me mbështetje për shërbimet e Skype në mesin e këtij viti. Shërbimet do të mbështeten vetëm në modelet e televizorëve të cilët kanë mundësinë e qasjes në internet, e përdoruesit të cilët dëshirojnë t’i shfrytëzojnë ato do tu ofrohen edhe kamerat e ndara të uebit me mikrofon të integruar.

Shërbimet e Skype do të duhej të mbështeten në televizorët e Panasonic të cilët kanë funksionin VIERA CAST, e LG do të ofrojë këto shërbime në 26 televizorët e saj të ri LCD e plazma me diagonale të gjerë.

Pritet që LG e Panasonic të demonstrojnë shërbimin e Skype gjatë kësaj jave në shoun “Consumer Electronics Show”.

Premiera e Ford Mustang GT në Detroit

Në panairin e radhës së automjeteve në Detroit, i cili mbahet në mesin e muajit janar të vitit 2010, Ford do të paraqes për herë të parë modelin e vet të ri Mustang GT.

Para pak ditësh në publik kanë rrjedhur fotografitë e fabrikës të automjetit të ri të zjarrtë Mustang GT.

Ford Mustang GT futet në lëvizje nga motori 5.0 litërsh V8 i cili zhvillon 418 kuaj fuqi dhe moment rrotullimi prej 529 Nm.

Më shumë detaje teknike megjithatë do të bëhen publike pas paraqitjes zyrtare të këtij automjeti në Detroit.

Fujitsu LifeBook MH380

Edhe kompania Fujitsu ka paraqitur kompjuterin e vet netbook të cilin e karakterizon procesori më i ri Atom nga Intel.

Modeli i cili bart shenjën dalluese LifeBook MH380 shfrytëzon procesorin Atom N450 si dhe çipsetin e ri NM10 Express.

Platformën e re në të cilën është bazuar ky netbook e karakterizojnë procesori, kontrollori grafik dhe ai i memories të cilët janë vendosur në një vend dhe me këtë dimensionet e platformës janë zvogëluar për 60% në krahasim me gjeneratën paraprake. Intel thekson se kjo zgjidhje mund të zvogëlojë shpenzimin e energjisë për 20%.

Modeli i ri LifeBook veç procesorit Atom N450 ka disk të fortë me kapacitet prej 250 GB, 1 GB memorie të sistemit si dhe mbështetje të integruar për lidhjet Bluetooth e WiFi.

Paraqitet kompjuteri tablet nga Apple?

Apple supozohet se ka rezervuar një hapësirë në San Francisco të Shteteve të Bashkuara për ngjarjen në të cilën do të duhej të paraqitej produkti më i ri i i madh i kësaj kompanie, raporton gazeta “The Financial Times”.

Qendra e konferencave “Yerba Buena Center” është rezervuar për të martën, 26 janar, në mënyrë që të në të organizohet një ngjarje e Apple. Ky paralajmërim sërish ka nxitur thashethemet për kompjuterin tablet të Apple i cili do të na duhej të na paraqitej atje.

Supozohet se Apple u ka bërë kërkesë një grupi të përzgjedhur të programuesve kompjuterik që të zhvillojnë aplikacione për iPhone e iPod që të përshtatin aplikacionet e tyre për pajisje me ekrane më të mëdha.

Si gjithmonë, Apple ka refuzuar të komentojë thashethemet për produktet e saja të radhës.

anasonic Lumix DMC-ZS3

Kompania Panasonic ka paraqitur fotoaparatin e vet më të ri digjital prej 10.1 megapikselash të emëruar Lumix DMC-ZS3.

Këtë fotoaparat e karakterizon rezolucioni prej 10.1 megapikselash i cili incizon mjaft detaje sa që mund të shtypni fotografi të madhësisë së posterit “pa miza”.

Ky model gjithashtu është i pajisur me zoomin optik 12x si dhe me thjerrëzat 25 milimetërshe të këndit të gjerë. Fotoaparati për ruajtje të fotografive përdorë kartelat e memories SD/SDHC të cilat nuk janë të përfshira në kutinë e shitjes.

Lumix DMC-ZS3 mund të incizojë video me definicion të lartë në formatin AVCHD Lite si dhe ka opsionin për njohjen e fytyrës – face detection.

Ferrari paraqet hibridin e vet të parë

Media të caktuara italiane kanë raportuar se Ferrari në panairin e automjeteve të Gjenevës do të paraqes modelin e vet të parë hibrid.

Informatat e fundit flasin se bëhet fjalë për një automjet i cili është i bazuar në modelin 599 GTB, derisa atë do ta karakterizojë sistemi i ashtuquajtur KERS (Kinetic Energy Recovery System) i cili është përdorur në Formula 1.

Ky sistem përdorë bateritë litium-jon, e siç dëshmon fotografia e paraqitur, instalimi kryesor gjendet prapa. Gjykuar sipas asaj që shishet hibridi i Ferrarit nuk do të ketë opsion të plotë të motorizimit elektrik, derisa mund të pritet edhe deri në 35 për qind shpenzim më i ulët i karburantit në qytet, respektivisht 17 litra për 100 kilometra të kaluara.

Paneli më i hollë televiziv LCD

LG Display ka zhvilluar prototipin e panelit LCD për televizorë i cili ka trashësi katër herë më të vogël sesa panelet aktuale të kompanive.

Ekrani i ri do t’u mundësojë prodhuesve të televizorëve që të krijojnë televizorë edhe më të hollë, por tani për tani nuk ka plane për prodhim masiv të këtyre paneleve.

Paneli i gjatësisë së diagonales 42 inç i cili ende është prototip ka trashësi prej vetëm 2.6 milimetra. Sa për rikujtim paneli më i hollë paraprak i kësaj kompanie i cili është paraqitur në maj ka qenë me trashësi prej 5.9 milimetra, derisa trashësia e panelit të cilin aktualisht e integrojnë në televizorë janë 11.9 milimetra.

Edhe pse tani për tani nuk ka plane për prodhim masiv, kompania LG do ta paraqes këtë panel në panairin e radhës të elektronikës shpenzuese - CES.

Edicioni i fundit i VW Beetle

“Breshka” e ringjallur e Volkswagen në treg është më shumë se një dekadë, e para se ta dërgojnë për herë të fundit në “garazh” në përgatitje e sipër është edicioni final i versioneve kupe dhe kabriolet.

Në pranverën e vitit të ardhshëm në treg do të dalin 1.500 njësi kupe dhe po aq kabrioletë si pjesë e fundit të prodhimit të këtij modeli.

Edicioni “Final Editions” do të ketë ngjyrë të veçantë të kaltër me kulm të zi tek kupeja, derisa versioni kabriolet do të ketë dy ngjyra bardhekaltër dhe kulm të bardhë.

Finalizohet marrëveshja në mes të Yahoo e Microsoft

Katër muaj pas marrëveshjes fillestare, Yahoo e Microsoft më në fund janë pajtuar rreth detajeve për integrimin e makinës së kërkimit të Microsoft në faqet e kompanisë Yahoo.

Kryeshefja ekzekutive e kompanisë Yahoo, Carol Bartz dhe kryeshefi i Microsofts Steve Ballmer, marrëveshjen fillimisht e kanë miratuar në muajin korrik, mirëpo kompanive u janë dashur më shumë se katër të merren vesh për të gjitha detajet. Vet marrëveshja para se të jetë përfundimtare duhet të aprovohet edhe nga organizmat rregullatore amerikane.

Sipas kushteve të marrëveshjes Microsoft do t’i ofrojë Yahoo-së teknologjikë e kërkimeve deri në dhjetë vjet, derisa Microsoft do të ketë qasje në teknologjinë e kërkimit dhe do të merr përsipër disa qindra punëtorë të Yahoo-së.

Microsoft gjithashtu ka marrë përsipër të paguaj një pjesë të theksuar të ardhurave nga reklamat të cilat do të shfaqen së bashku me rezultatet e kërkimit.

iPodi më i shtrenjtë në botë

Pajisja më e shtrenjtë zyrtare iPod Touch në botë kushton 233.000 dollarë, derisa ajo është e dekoruar me 170 gramë ari dhe lloj-lloj diamantesh.

Pasi që javën e kaluar e ka paraqitur pajisjen iPhone 3GS të dekoruar me diamante me çmim prej më tepër se tre milionë dollarë, kësaj radhe dizajnuesi britanik Stuart Hughes "i është gjuajtur në qafë” pajisjes iPod Touch.

Në dekorimin e pajisjes janë shpenzuar 170 gramë ari, 300 diamante të vendosur në kornizën e pajisjes, 53 në prapavijë e dekorojnë logon e artë të Apple prej 21 gramë, derisa butoni home pos 12 diamanteve përmban edhe një diamant rozë prej 2.1 karatësh.

Çmimi i iPod Supreme kushton “vetëm” 233.000 dollarë. Numri i tyre është kufizuar në tre – prandaj ngutuni nëse doni ta keni.

Nissan freskon pamjen e modelit Qashqai

Pas diç më shumë se dy vitesh në treg, në Nissan kanë vendosur që ka ardhur çasti i duhur për rifreskimin e Qashqai.

Ndryshimet më të mëdha në Qashqain e ridizajnuar vërehen në pjesën e përparme – korniza më agresive e dritave të përparme, mbrojtësi dhe rrjeta e ftohësit. Dritat e pasme janë pajisur me LED.

Në enterier Nissan ka premtuar materiale më kualitative dhe izolim më të mirë të zhurmës, e fotografitë e deritanishme shfaqin pamje më të avancuar të instrumenteve të kontrollit.

Ndryshime në motorizim nuk ka, mirëpo Qashqai i ridizajnuar është pajisur me amortizim të avancuar që do të duhej t’i sigurojnë atij tipare edhe më të mira e komode të vozitjes.

Deri në mot 300.000 aplikacione për iPhone

Analistët e kompanisë IDC për vitin e ardhshëm parashohin rritje të fuqishme të internetit mobil, mirëpo rritjen më të madhe e parashohin për dyqanin online AppStore të kompanisë Apple i cili ofron aplikacione për celulari e popullarizuar iPhone.Sipas të dhënave të IDC-së, numri i aplikacioneve në AppStore po rritet për 900 për qind, derisa deri në fund të vitit të ardhshëm numri i përgjithshëm i aplikacioneve do të duhej të trefishohej deri në 300.000 aplikacione.

Ndërsa, sa i përket dyqanit tjetër konkurrent, Google Android Market, IDC parasheh se numri i aplikacioneve në të deri në fund të vitit do të jetë në mes të 50 e 70.000.

IDC gjithashtu thekson se është në rritje të pandalshme edhe numri i pajisjeve mobile me qasje në internet, e deri në fund të vitit 2010 numri i pajisjeve të cilat do të janë online do ta thyej rekordin prej një miliard.

Asus paraqet laptopin ultra të hollë

Kompania Asus ka paraqitur një laptop i cili me pamje ngjan tepër në atë MacBook Air të Apple, e për zotën as me peshë nuk janë larg njëri-tjetrit.

Asus UM30 ka ekran me diagonale prej 13.3 inç, shtëpizë alumini, i trashë është gjithsej 19.6 milimetra, derisa ka peshë prej 1.4 kilogramë, që e kategorizon në mesin e laptopëve më të lehtë për t’u bartur në treg.

Përkundër kësaj, bëhet fjalë për një pajisje bukur të fuqishme. Ai niset nga procesi i Intel Core 2 Duo SU 9400, e në të janë edhe 320 GB të diskut të fortë dhe 3 GB RAM memorie.

Pajisja tani për tani shitet vetëm në Japoni, dhe me Windows 7 Home Premium prej 64-bit kushton rreth 750 euro.

VW paraqet automjetin më ekonomik në botë

Panairin e porsahapur të automjeteve në Los Angeles prodhuesi gjerman Volkswagen e ka shfrytëzuar për paraqitjen e automjetit më ekonomik konceptual me hapësirë për katër persona – Up! Lite.

Duke përdorë para së gjithash metodat e kursimit me anë të përdorimit materialeve të lehta Volkswagen ka arritur që masa e tërësishme e Up! Lite të bëhet në vetëm 695 kilogramë, e me përdorimin e zgjidhjeve inteligjente si kamera në vend të retrovizorëve dhe mbuluesit të rrjetës së ftohësit i cili hapet vetëm sipas nevojës, koeficienti i rezistencës aerodinamike është ulur në vetëm 0.237 Cw.

Rezultat i kësaj është shpenzimi prej vetëm 2.44 litrash karburant në njëqind kilometra të kombinuara në ciklin evropian dhe emetimi më i ulët i CO2 prej 64 gramësh në kilometër të kaluar.

Automjeti i motorizuar me sistem hibrid me motor turbo 0.8 litrash me naftë e dy cilindra prej 51 kuaj fuqi dhe elektromotorin prej 10 kW mund të lavdërohet për performansa solide – 12 sekonda për të arritur shpejtësinë prej 100 kilometra në orë dhe atë maksimale prej 160 km/h.

Automjeti i parë Up!, i cili do të jetë një kompakt i vogël qyteti, në rrugët evropian do të paraqitet në vitin 2012, e varësisht prej suksesit të tij, pritet që në një të ardhshme të paraqitet edhe versioni limuzinë.

Nokia pret rritje stabile

Prodhuesi kryesor i telefonave celularë vitin e ardhshëm pret të mbaj pjesëmarrjen aktuale në treg, gjersa pret të shes 10 për qind më shumë pasjeje mobile.

Në kompani theksojnë se tregu i celularëve po stabilizohet çdo ditë e më shumë, dhe se më shumë po rritet në tregjet ku Nokia ka përparësi ndaj konkurrentëve të saj.

Pjesëmarrja e kompanisë në tregun global do të duhej të mbetej përafërsisht e njëjtë, respektivisht në shkallën prej 38%, mirëpo përfitimet do të duhej të rriteshin kur merret parasysh se do të fokusohet në stabilizimin e çmimeve të pajisjeve mobile.

Në fakt, në tremujorin e tretë çmimi mesatar i celularëve të Nokias ka qenë 62 euro, derisa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak mesatarja ka qenë 72 euro.

Volkswagen Polo është “Automjeti evropian i vitit 2010”

Gjenerata e re e automjetit të ri kompakt gjerman është kurorëzuar me titullin më të madh automobilistik evropian. Polo ka grabitur shpërblimin “Car of the Year 2010” (Automjeti evropian i vitit 2010).

Pas disa raundeve të testimit më në fund e kemi edhe emrin e automjetit më të mirë evropian për vitin e ardhshëm - Volkswagen Polo. Polo është përzgjedhur në mesin e gjithsej 33 automjeteve kandidate dhe shtatë finalistëve.

Sa për rikujtim, juria ndërkombëtare e cila zgjedh automjetin evropian të vitit përbëhet nga 59 gazetarë nga 22 shtete dhe secili prej tyre ka 25 pikë të cilat duhet t’i ndajë në më se paku pesë kandidatë të ndryshëm.

Polo ka bërë për vete pikët e të gjithë 59 gazetarëve, e madje 25 gazetarë e kanë vendosur Polon në vendin e parë. Automjeti kompakt gjerman ka grumbulluar gjithsej 347 pikë. Menjëherë pas Polos pason Toyota iQ me gjithsej 337 pikë të grumbulluara. Për të kanë votuar 58 gazetarë, e prej 20 prej tyre automjeti i vogël japonez ka qenë zgjedhja e parë. Vendi i tretë i ka takuar Opel Astras e cila megjithatë i ka grumbulluar 221 pikë.

Lenovo blen Lenovo Mobile

Lenovo blen njësinë "e vet" për prodhimin e e celularëve. Në fakt, kompania në muajin mars të vitit të kaluar e kishte shitur njësinë Lenovo Mobile tek një grup investitorësh me qëllim të fokusimit në afarizmin e vet kryesor, atë me kompjuterë.

Në kompani duket se kanë vendosur që është koha për t’u kthyer në tregun e celularëve, dhe pronarëve të tanishëm të njësisë së shitur kanë vendosur t’i japin rreth 200 milionë dollarë për ta kthyer atë sërish nën pronësinë e vet.

Në arsyetimin e këtij veprimi, nga Lenovo pohojnë se “funksionaliteti i kompjuterëve përputhet me funksionalitetin e telefonave të mençur", dhe se shohin mundësi për rritje të dukshme në këtë fushë. Për më tepër, tregu kinez i internetit mobil deri në vitin 2014 pritet të rritet në mbi 16 miliardë dollarë.

Në tremujorin e fundit Lenovo ka dyfishuar profitin e vet i cili ka qenë 53 milionë dollarë.

Lansohet Thunderbird 3 Release Candidate

Është lansuar kandidati i parë për lëshim (Release Candidate) i versionit 3 të klientin të Mozillas për menaxhim me postë elektronike Thunderbird 3.

Në rast se nuk evidentohen probleme të mëdha, pak kohë pas lansimit të Thunderbird 3 Release Candidate do të duhej të paraqitej edhe versioni përfundimtar.

Thunderbird 3 është në zhvillim e sipër që disa vite rresht, e në Mozilla paralajmërojnë se në të ardhmen versionet e reja do të lëshohen shumë më shpejt, respektivisht çdo katër deri në gjashtë muaj.

Risitë më të rëndësishme në Thunderbird 3 kanë të bëjnë me mundësinë e kërkimeve, arkivim më të thjeshtë të porosive, konfiguracioni i avancuar i përdoruesit, mënyra më e thjeshtuar e vendosjes së llogarive të postës elektronike si dhe shtimi i kontakteve të reja në adresar.

Multivision TV nis transmetimin drejtpërdrejt në iPhone

Familjes së stacioneve televizive me renome botërore që transmetojnë drejtpërdrejt në iPhone sot i bashkëngjitet edhe Multivision TV nga Prishtina.

Tani e tutje, Multivision TV do të mund të ndiqet kudo në botë aty ku ka rrjet interneti pa tela (wireles network) apo edhe nëpërmes GPRS-it.

Procedura për shikimin e programit është shumë e thjeshtë. Në shfletuesin Safari të pajisjes tuaj iPhone shkruani mtv-live.com, shfletuesi i faqes përmes aplikacionit detekton se vizituesi është nga aparati mobil dhe automatikisht ju ridrejton te pjesa në të cilën ju mund ta shihni transmetimin e drejtpërdrejt.

E tëra që juve ju mbetet të bëni është të shtypni butonin PLAY.

Twingo Gordini Renaultsport tregon fytyrën

Në fillim të muajit janar të vitit të ardhshëm në Atelier Renault në Champs-Elysées në Paris, Renault do të na paraqes modelin e parë nga linja e tij Gordini - Twingo Gordini Renaultsport.

Mu siç edhe është pritur, bëhet fjalë për përmirësimet pak a shumë të natyrës kozmetike. Automjeti më i vogël i Renault do të ofrohet me të njëjtin motor 1.6 litërsh atmosferik me katër cilindra dhe 133 kuaj fuqi, por vetëm me dy ngjyra të lyerjes së jashtme – të zezë dhe të kaltër. Të dy ngjyrat përfshijnë shiritat e njohur të garave të cilat shtrihen përgjatë tërë karrocerisë.

Varësisht nga lyerja e jashtme edhe enterieri ofrohet në ngjyrë të zezë dhe të kaltër me gravurë të Gordini si dhe rrota alumini prej 17 inçësh.

Automjeti do të duhej të del në treg në muajin mars të vitit të ardhshëm me çmim tani për tani të papërcaktuar. Renault po ashtu nuk ka njoftuar nëse seria Twingo Gordini Renaultsport do të jetë e kufizuar në prodhim dhe në cilat tregje planifikon ta ofrojë atë.

Google i kërkon falje Michelle Obamas

Kompania amerikane e internetit Google i ka dërguar një kërkim-falje zonjës së parë të amerikane Michelle Obama për shkak të një fotografie nënçmuese e cila paraqitet kur përdoruesit e saj tentojnë të gjejnë fotografitë e saj.

Foto-montazhi i Michelle Obamas
Foto-montazhi i Michelle Obamas

Google mbi fotografi e ka publikuar njoftimin mbi “rezultatet nënçmuese të kërkimit".

Është theksuar edhe se “kërkimet nganjëherë janë nënçmuese dhe se kompania është në pajtim me këtë konstatim”.

Megjithatë, Google ka refuzuar të largojë fotografinë në fjalë nga rezultatet e kërkimit.

Fotografia të cilën përdoruesit e Google e shohin të parën kur e shkruajnë emrin e zonjës së parë të SHBA-ve në gjuhën angleze është një foto-montazh në të cilën fytyra e Michelle Obamas përkujton në një shimpanze.

Shtëpia e Bardhë nuk ka dashur të bëj ndonjë koment në lidhje me këtë rast.

Shpiket taksi që nuk ka nevojë për vozitës

Taksi i ri na përkujton në automjetet futuristike të cilat ndryshe mund t’i shohim vetëm në filma e agjentit James Bond.

Taksi i parë futuristik pa vozitës është paraqitur në Britani të Madhe, e tani për tani do të shërbej vetëm për transport të udhëtarëve nga parkingu afarist deri tek terminali numër pesë në aeroportin Heathrow, njofton BBC.

Shpikës është profesori Martin Lowson nga qyteti Bristol, derisa atij i janë nevojitur 15 vjet për ta zhvilluar këtë automjet.

Taksi vozit me ndihmën e një rrjeti të udhëzimeve, gjersa shfrytëzon kombinimin e sistemeve të ndryshme përfshirë sensorët laserik dhe kontrollet kompjuterike.

Ndryshe, ky automjet elektrik na përkujton në ata që mund t’i shohim vetëm nëpër filmat James Bond. Mund të transportojnë deri në katër udhëtarë së bashku me bagazhin e tyre dhe ec me shpejtësi deri në 40 kilometra në orë.

Profesori Lowson konsideron se taksi i tij është zgjidhje ideale për trafikun e ngarkuar në mjediset e qytetit.

Taksi pikërisht tani po testohet në Heathrow me udhëtarë, e ka edhe bukur shumë punë në të para se të integrohet në trafikun publik.

Mercedes rifreskon C-Class

Mercedesi aktual i C-Class është në gjysmën e jetës së tij, prandaj ka ardhur koha për ridizajnim.

Mercedes C-Class definitivisht duket shumë i freskët dhe i ri, por kur merret parasysh se është lansuar në vitin 2007, vlerësohet se i ka ardhur koha për ridizajnim.

Supozohet se ridizajnimi do të jetë shumë i lehtë, që, në mes tjerash, mund të vërehet edhe në këtë fotografi spiune.

Është vështirë të jepen informata më precize, kur merret parasysh se automjeti është i maskuar, por sigurisht që në këtë rifreskim do të përfshihen farat e rinj, maska e re e përparme dhe kofanoja.

Natyrisht, anash nuk do të lihet as enterieri, edhe pse as tek ai nuk priten ndryshime revolucionare.

Nokia 6700 Slide e 7230

Nokia ka paraqitur dy celularë të rinj në segmentin e saj të mesëm. Bëhet fjalë për modelet e telefonave rrëshqitës 6700 Slide e 7230.

Modeli më i lirë, ai 7230, vjen me dimensione 98 x 48 x 14.7 milimetra dhe ka mbështetje për 3G. Ekrani është 2.4-inçësh me rezolucion prej 240 x 320 piksela, fotoaparati është me rezolucion 3.2 megapiksela, në të është integruar FM radio dhe qasja për kartelat e memories microSD. Ndryshe, celulari shitet me kartelë të kapacitetit prej 2 GB.

Në tregjet e Evropës celulari vjen në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm me çmim të rekomanduar të shitjes prej 100 euro.

Modeli 6700 Slide ka dimensione 95 x 46 x 16 milimetra, e peshon 110 gramë. Mban ekran 2.2-inçësh me rezolucion prej 320 x 240 piksela. Fotoaparati i tij ka rezolucion prej pesë megapiksela, derisa është integruar edhe blici i dyfishtë LED. Së bashku me 45 MB të memories interne në të gjendet edhe qasja për kartela të memories microSD dhe FM radio.

Në treg vjen në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm me çmim prej 160 euro.